Edon Zhegrova do të ketë një tjetër shans për të treguar vlerat e tij te Juventusi. Sulmuesi kosovar pritet të mbetet pjesë e skuadrës torineze, pavarësisht një sezoni të parë jo shumë pozitiv, i shoqëruar nga dëmtime dhe pak minuta në dispozicion.
Sipas raportimeve të Gazzetta dello Sport, drejtuesit e Juventusit, së bashku me trajnerin Luciano Spalletti, kanë vendosur t’i japin një tjetër mundësi Zhegrovës për të provuar se mund të jetë një lojtar i rëndësishëm për ekipin.
Situata është ndikuar edhe nga e ardhmja e Nico Gonzalez. Mesfushori argjentinas raportohet se ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga Torino dhe mund të transferohet te Atletico Madridi, duke krijuar hapësirë për lojtarin kosovar.
Sipas mediave italiane, dëshira e Gonzalez për largim i ka hapur derën Zhegrovës që të rikthehet fuqishëm dhe të korrigjojë paraqitjen e tij në sezonin e parë me fanellën bardhezi.
Vetë Zhegrova gjatë gjithë verës ka bërë të qartë se dëshiron të vazhdojë aventurën te Juventusi. Ai ka refuzuar të negociojë me klubet e interesuara dhe është bashkuar herët me përgatitjet e skuadrës, duke synuar të bindë stafin teknik.
Objektivi i sulmuesit kosovar është i qartë: të fitojë sa më shpejt një vend titullari në Juventus dhe të rikthejë pozitën e tij si një nga lojtarët kryesorë edhe te Kombëtarja e Kosovës.









