Arsenali nuk ndalet në merkato – nis negociatat për mesfushorin brazilian

Arsenali vijon të jetë aktiv në tregun e transferimeve, me trajnerin Mikel Arteta që synon të forcojë edhe më tej skuadrën për sezonin e ri. Objektivi më i fundit i londinezëve është mesfushori brazilian i Newcastle United, Bruno Guimaraes.

Sipas raportimeve të The Telegraph, drejtuesit e Arsenalit kanë nisur bisedimet me Newcastle për të shqyrtuar mundësinë e transferimit të 28-vjeçarit, i cili konsiderohet një nga mesfushorët më cilësorë në Ligën Premier.

Që prej emërimit të Artetës në fund të vitit 2019, Arsenali ka investuar rreth 1.16 miliardë euro në përforcimin e skuadrës dhe merkatoja e kësaj vere nuk bën përjashtim.

Së fundmi, “Topçinjtë” siguruan shërbimet e mbrojtësit Piero Hincapie për rreth 40 milionë euro, ndërsa portieri Illan Meslier iu bashkua ekipit si lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Leeds United. Gjithashtu, klubi londinez ka arritur një marrëveshje edhe me Club Brugge për transferimin e anësorit grek Christos Tzolis, në një operacion që pritet të kushtojë rreth 39 milionë euro.

Megjithatë, Arteta kërkon të përforcojë edhe mesfushën dhe Bruno Guimaraes mbetet prioriteti kryesor. Më herët, Arsenali nuk ishte i gatshëm të ofronte më shumë se 70 milionë euro, ndërsa Newcastle kërkonte pagesën e plotë, pa bonuse apo klauzola shtesë.

Sipas të njëjtit burim, vetë Guimaraes i ka shprehur drejtuesve të Newcastle dëshirën për t’u transferuar në “Emirates Stadium”. Nëse Arsenali paraqet një ofertë zyrtare prej rreth 87 milionë eurosh, klubi nga Newcastle do të duhet të marrë një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e brazilianit.