Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka paralajmëruar masa më të ashpra ndaj drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ai ka denoncuar raste të bllokimit të trafikut, manovrave të rrezikshme dhe mosrespektimit të këmbësorëve në vijat e bardha.
Lamallari u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat, duke theksuar se monitorimi me dronë nga Policia e Shtetit do të vijojë, ndërsa shumë shpejt në akset kombëtare dhe rrugët kryesore të vendit do të vendosen edhe kamerat inteligjente të projektit “Smart City”, të cilat do të evidentojnë automatikisht shkeljet.
“Për kapriçon e disa drejtuesve nuk duhet të vuajnë qytetarët që respektojnë rregullat. Nëse mendoni se jeni të privilegjuar dhe mund të bëni çfarë të doni në trafik, përshëndeteni dronin sipër jush dhe prisni patrullën më të afërt me gjobën tuaj. Së shpejti, dronëve do t’u shtohen edhe kamerat inteligjente të ‘Smart City’, ndaj mësohuni me idenë se rregullat vlejnë për të gjithë, pa përjashtim”, u shpreh ministri.









