“Pas orës 08:00 ata nuk do të kenë ura dhe stacione” – Trump ultimatum Iranit për pranimin e marrëveshjes

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka vendosur një afat të ri Iranit për arritjen e një marrëveshjeje, duke paralajmëruar pasoja të rënda nëse Teherani nuk pranon kushtet e Uashingtonit.

Gjatë një deklarate për mediat, Trump tha se autoritetet iraniane kanë kohë deri nesër në orën 08:00 për të arritur një marrëveshje, ndërsa theksoi se negociatat po zhvillohen me mirëbesim.

Presidenti amerikan paralajmëroi se, nëse nuk arrihet një dakordësi brenda afatit, Irani do të përballet me goditje të rënda ndaj infrastrukturës së tij.

“Pas orës 08:00 ata nuk do të kenë ura dhe stacione”, deklaroi Trump, duke shtuar se pasojat mund të jenë shkatërruese për vendin.

Ai u shpreh se nuk dëshiron një përshkallëzim të konfliktit, por paralajmëroi se, nëse situata e kërkon, dëmet do të jenë aq të mëdha sa Iranit do t’i duhen “100 vjet për të rindërtuar vendin”.

Trump përsëriti gjithashtu qëndrimin e administratës së tij se Irani nuk duhet në asnjë rrethanë të pajiset me armë bërthamore, duke e cilësuar këtë si një vijë të kuqe për Shtetet e Bashkuara.

Në të njëjtën deklaratë, presidenti amerikan shprehu zhgënjimin e tij edhe ndaj NATO-s, ndërsa paralajmëroi se Uashingtoni po shqyrton masa të tjera kundër Iranit, përfshirë vendosjen e tarifave në Ngushticën e Hormuzit.