Gara për fituesin e Topit të Artë 2026 ka marrë një kthesë të papritur. Sipas disa vlerësimeve dhe parashikimeve të publikuara nga media ndërkombëtare, në krye të listës së favoritëve është ngjitur talenti i Barcelonës, Lamine Jamal, duke lënë pas emra të mëdhenj si Lionel Mesi, Herri Kejn dhe Rodri.
Ceremonia e ndarjes së çmimit do të zhvillohet më 26 tetor në Londër, ndërsa në vlerësim do të merret parasysh periudha nga 1 gushti 2025 deri më 31 korrik 2026.
Nëse 19-vjeçari arrin të fitojë trofeun më prestigjioz individual në futboll, ai do të realizojë një nga surprizat më të mëdha të viteve të fundit, duke triumfuar përpara disa prej yjeve më të spikatur të futbollit botëror.
Megjithatë, paraqitja e Jamalit në Botërorin 2026 nuk ishte ndër më të spikaturat. Sulmuesi i Barcelonës nuk arriti të fitonte as çmimin e lojtarit të ri më të mirë të turneut, i cili iu akordua bashkëlojtarit të tij te Spanja, Pau Kubarsi.
Ndërkohë, çmimi për lojtarin më të mirë të Botërorit u fitua nga mesfushori spanjoll Rodri, i cili ishte një nga protagonistët kryesorë në suksesin e kombëtares së tij. Megjithatë, dëmtimet gjatë sezonit dhe mungesa e rezultateve të mëdha me Mançester Sitin mund të ndikojnë në garën për Topin e Artë.
Në listën e pretendentëve vijojnë të mbeten edhe Lionel Mesi dhe Herri Kejn, të cilët zhvilluan një sezon të mirë dhe ishin ndër protagonistët e Kupës së Botës. Megjithatë, sipas projeksioneve të fundit, Lamine Jamal është emri që po fiton gjithnjë e më shumë terren në garën për trofeun individual më prestigjioz në futboll.
Fituesi aktual i Topit të Artë është francezi Usman Dembélé, ndërsa ceremonia e këtij viti pritet me interes të madh, pasi gara konsiderohet një nga më të hapurat e viteve të fundit.









