Arrestohen 3 shqiptarë në Gjermani – Dyshohet se po ngrinin plantacion kanabisi

Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar gjatë një operacioni policor në qytetin Ebersbach të Gjermanisë, pranë kufirit me Republikën Çeke, pasi dyshohet se po përgatiteshin për ngritjen e një plantacioni kanabisi.

Sipas policisë gjermane, kontrollet u zhvilluan në një ish-ndërtesë kompanie në rrugën “Spreedorfer Straße”, ku efektivët vunë në pranga tre persona të moshës 30, 38 dhe 49 vjeç.

Gjatë bastisjes, autoritetet sekuestruan sasi të konsiderueshme kimikatesh të dyshimta, si dhe pajisje teknike që dyshohet se do të përdoreshin për kultivimin e lëndëve narkotike.

Zëdhënësi i policisë, Stefan Heiduck, deklaroi se hetimet e para kanë ngritur dyshime se të arrestuarit po përgatitnin ambientin për krijimin e një plantacioni kanabisi.

Operacioni policor nisi gjatë orëve të natës dhe vijon ende. Në aksion janë përfshirë edhe forcat zjarrfikëse dhe Agjencia Federale për Ndihmë Teknike (THW), ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rolin e personave të arrestuar dhe organizimin e dyshuar pas këtij aktiviteti.