Franca akuzon Rusinë për sulme kibernetike – thërret diplomatin rus në Paris

Franca ka ngritur shqetësime të forta ndaj Rusisë, duke e akuzuar për operacione kibernetike të drejtuara kundër institucioneve franceze dhe disa vendeve partnere në Evropë.

Ministria franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se ka thirrur të ngarkuarin me punë të Ambasadës ruse në Paris, ku atij i është përcjellë një kundërshtim i ashpër ndaj aktiviteteve të dyshuara kibernetike.

Sipas autoriteteve franceze, këto operacione lidhen me aktivitetet e një njësie të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), konkretisht Qendrës së 16-të të këtij shërbimi.

Parisi deklaroi se sulmet e dyshuara kanë prekur jo vetëm Francën, por edhe disa vende të tjera evropiane, duke i cilësuar ato si “të papranueshme” dhe në kundërshtim me përgjegjësinë ndërkombëtare që mbart një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Autoritetet franceze theksuan se do të vazhdojnë bashkëpunimin me aleatët dhe se, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, do të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për t’iu përgjigjur veprimeve që i konsiderojnë destabilizuese.

Akuza e re vjen në një periudhë tensionesh të larta mes Perëndimit dhe Moskës, ku sulmet kibernetike janë kthyer në një nga frontet kryesore të përplasjeve gjeopolitike.