Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një tjetër valë sulmesh ajrore ndaj objektivave në Iran, duke shënuar natën e shtatë radhazi të operacioneve ushtarake. Lajmi u konfirmua nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), e cila bëri të ditur se fushata ushtarake synon dobësimin e kapaciteteve ushtarake të Teheranit.
Në një deklaratë të publikuar në platformën X, CENTCOM theksoi se sulmet po zhvillohen në përputhje me urdhrat e Komandantit të Përgjithshëm dhe kanë si objektiv degradimin e mëtejshëm të aftësive ushtarake të Iranit.
Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë detaje mbi numrin e objektivave të goditura, vendndodhjet e tyre apo dëmet e shkaktuara gjatë operacionit të fundit.
Sulmet zhvillohen në një periudhë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, pas një sërë përplasjesh ushtarake dhe përpjekjesh diplomatike për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
Sipas zyrtarëve amerikanë, operacionet kanë për qëllim kufizimin e kapaciteteve ushtarake të Iranit dhe parandalimin e çdo kërcënimi ndaj interesave të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në rajon.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë dënuar vazhdimisht sulmet amerikane dhe kanë paralajmëruar se vijimi i operacioneve ushtarake do të sjellë pasoja.









