Trump hap konflikt të ri me Kanadanë: Koston e tymit do ta përfshijmë në tarifa

Presidenti amerikan Donald Trump ka hapur një tjetër përplasje me Kanadanë, këtë herë për shkak të tymit të zjarreve pyjore që ka kaluar kufirin dhe ka ndikuar në cilësinë e ajrit në disa zona të Shteteve të Bashkuara.

Trump ka deklaruar se dëmi i shkaktuar nga ndotja duhet të llogaritet në tarifat doganore ndaj produkteve kanadeze, duke e bërë çështjen e zjarreve pjesë të debatit tregtar mes dy vendeve.

Në një reagim në platformën Truth Social, presidenti amerikan akuzoi autoritetet kanadeze se nuk po menaxhojnë siç duhet pyjet dhe sipërfaqet e gjelbra, duke lejuar përhapjen e zjarreve që, sipas tij, po ndikojnë drejtpërdrejt në ajrin e SHBA-së.

“Shtetet e Bashkuara po përballen në mënyrë të panevojshme me ajër të ndotur, të dëmshëm dhe të pashëndetshëm, me një cilësi që është e rrezikshme dhe e papranueshme”, shkroi Trump.

Ai e cilësoi situatën si një rast të “neglizhencës së qëllimshme”, duke argumentuar se tymi i zjarreve është kthyer në një problem të përsëritur që i kushton miliarda dollarë ekonomisë amerikane.

Sipas presidentit amerikan, kostot ekonomike dhe dëmet nga ndotja e ajrit duhet të përfshihen në llogaritjen e tarifave që Kanadaja paguan për eksportet drejt Shteteve të Bashkuara.

Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur marrëdhëniet tregtare mes Uashingtonit dhe Otavës kanë qenë të tensionuara, ndërsa zjarret masive në Kanada kanë shkaktuar prej ditësh probleme të cilësisë së ajrit në pjesë të ndryshme të Amerikës së Veriut.