Kanosën një gazetar në aksin Librazhd-Elbasan – procedohen dy persona

Dy persona janë proceduar penalisht nga Policia e Elbasanit, pasi dyshohen se kanë kanosur një gazetar gjatë lëvizjes në aksin rrugor Librazhd–Elbasan.

Sipas njoftimit zyrtar, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë nisur procedimin penal ndaj shtetasve me iniciale R. T., 33 vjeç, banues në Tiranë, dhe A. B., 31 vjeç, banues në Librazhd, për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”.

Ngjarja ka ndodhur më 17 korrik, rreth orës 14:00. Në Sallën Operative të Policisë ka bërë kallëzim gazetari me iniciale O. S., i cili ka deklaruar se, gjatë lëvizjes në aksin Librazhd–Elbasan, është ndjerë i kanosur nga dy persona që udhëtonin me një automjet.

Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore dhe administrimit të provave, policia vendosi nisjen e procedimit penal ndaj dy të dyshuarve.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.