Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka komentuar për herë të parë procesin e zgjedhjes së drejtuesve të rinj të partisë, pas të cilit ai humbi postin e nënkryetarit. Në një intervistë televizive, Boçi u shpreh se procesi i votimit përmban elementë subjektivë dhe nuk mund të konsiderohet plotësisht i pastër.
Sipas tij, momenti i votimit është kompleks dhe ndikohet nga faktorë të ndryshëm, ndërsa theksoi se ai dhe Belind Këlliçi kanë pasur të njëjtat mundësi në garë. Boçi shtoi se nuk beson se rivali i tij ka zhvilluar më shumë lobim dhe nuk pranoi të ndalej te detaje të procesit.
SIN
I pyetur për deklaratën e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, se ky është “ekipi më i mirë” që ka pasur ndonjëherë partia, Boçi u përgjigj se është e drejtë e kryetarit të bëjë një vlerësim të tillë. Ai theksoi se çdo ekip duhet gjykuar në raport me rrethanat politike të kohës dhe kujtoi se katër vite më parë Partia Demokratike ndodhej përballë një situate krejtësisht të ndryshme.
Boçi shtoi se nuk mund të zhvlerësohet puna e strukturave të mëparshme, duke theksuar se partitë politike nuk duhet të harrojnë kontributet e së kaluarës kur bëjnë krahasime me ekipet e reja.
SIN
Duke komentuar debatet e fundit për të ashtuquajturin “mulizëm”, Boçi tha se nuk është ai që duhet t’u japë kuptim etiketimeve të tilla. Sipas tij, diskutimet dhe mendimet e ndryshme janë pjesë e demokracisë së brendshme në Partinë Demokratike.
Ai theksoi se debati i lirë nuk duhet të shuhet, pasi, sipas tij, vetëm përmes mendimeve të ndryshme mund të ruhet funksionimi demokratik i partisë. Boçi u shpreh se koha do të tregojë zhvillimet e ardhshme dhe se nuk duhet t’u jepet peshë e tepruar termave apo etiketimeve politike.









