Fisnik Asllani është i gatshëm të presë Barcelonën përpara se të vendosë për të ardhmen e tij. Sulmuesi i Hoffenheimit shpreson të transferohet te gjiganti katalanas, nëse gjatë kësaj vere krijohen kushtet për një lëvizje në repartin ofensiv.
Sipas të përditshmes spanjolle SPORT, 23-vjeçari, i cili zhvilloi një sezon të shkëlqyer në Bundesligë, po shqyrton vetëm dy alternativa për hapin e radhës në karrierë: Barcelonën dhe RB Leipzigun.
Edhe pse ka marrë oferta të tjera, reprezentuesi i Kosovës ka vendosur të mos nxitojë me zgjedhjen e tij, duke pritur të mësojë nëse Barcelona do të konkretizojë interesimin.
Klubi katalanas e ka ndjekur nga afër Asllanin gjatë sezonit të kaluar dhe raportohet se ka vendosur kontaktet e para me përfaqësuesit e futbollistit në fillim të merkatos verore.
Hoffenheimi e vlerëson kartonin e sulmuesit rreth 29 milionë euro, por drejtuesit e klubit gjerman janë të hapur për negociata. Formula e marrëveshjes mund të përfshijë bonuse të lidhura me paraqitjet ose huazimin e ndonjë lojtari nga Barcelona.
Megjithatë, katalanasit kanë prioritete të tjera për momentin. Objektivi kryesor mbetet afrimi i një sulmuesi të nivelit të lartë, me Julian Alvarez që kryeson listën e dëshirave të klubit.
Vetëm pasi të qartësohet situata e Ferran Torresit, i cili vazhdon të lidhet me një transferim te Paris Saint-Germain, dhe të vendoset për objektivat kryesorë të merkatos, Barcelona do të marrë një vendim përfundimtar edhe për Asllanin.
Pas një sezoni mbresëlënës në Bundesligë, ku u shndërrua në një nga sulmuesit më të spikatur të kampionatit, Asllani mbetet një nga emrat më të kërkuar në treg, ndërsa Barcelona vazhdon ta mbajë nën vëzhgim përpara se të vendosë për lëvizjen e radhës.









