Deklaratat e ministres serbe për Kosovën – reagon Rama: Nuk do të bëhemi kor histerik për çdo idiotësi

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas debatit të shkaktuar nga deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq lidhur me Kosovën, duke mbrojtur mënyrën se si institucionet shqiptare kanë trajtuar çështjen.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se Shqipëria ka reaguar zyrtarisht përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke theksuar se ky është qëndrimi i një shteti që respekton institucionet dhe veten.

Sipas kreut të qeverisë, nuk është e nevojshme që çdo institucion apo figurë publike të reagojë ndaj çdo deklarate që vjen nga Beogradi.

“Ne kemi reaguar përmes ministrit të Jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten. Kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë”, shkroi Rama.

Kryeministri kritikoi edhe reagimet e disa figurave politike në Shqipëri, duke i akuzuar se po përdorin situata të tilla për përfitime politike dhe për të krijuar, sipas tij, imazhin e “luftëtarëve”.

Rama theksoi se, sipas tij, kërkesa që çdo person publik të reagojë ndaj çdo deklarate të bërë në Serbi nuk i shërben interesit të shtetit dhe nuk përfaqëson një qasje institucionale.