Ish-kandidatja për deputete e Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, u ka bërë thirrje anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së që të votojnë të lirë për drejtuesit e rinj të strukturave të partisë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Kuçana u kërkoi anëtarëve të mos marrin porosi nga sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, për mënyrën e votimit.
Sipas saj, vendimmarrja duhet të bazohet në statut dhe në vullnetin e anëtarësisë, duke shmangur ndikimet dhe orientimet politike nga individë të caktuar.
Kuçana kritikoi atë që e cilësoi si proces të “mulizimit” të partisë, duke deklaruar se kjo qasje nuk sjell shpresë dhe besim te demokratët.
Ajo theksoi se anëtarët e PD-së presin një proces të ri politik, të mbështetur te meritokracia, hapja dhe ripërtëritja e strukturave.
Thirrja e Kuçanës vjen në një kohë kur Këshilli Kombëtar i PD-së mblidhet për të votuar drejtuesit e sekretariateve dhe nënkryetarët e rinj të partisë.
Reagimi i Kuçanës:
Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar,
Sot keni përgjegjësinë të votoni sipas ndërgjegjes dhe statutit, jo sipas porosive. Fenomeni i “mulizmit” nuk përcjell shpresë dhe optimizëm për demokratët. Ata presin ripërtëritje, meritokraci dhe një frymë të re.
Mos merrni porosi nga Muli. Merrni përgjegjësinë para demokratëve dhe votoni me zemër, sepse vendimi juaj i sotëm do të përcaktojë besimin e nesërm te Partia Demokratike.









