Maradona dhe ndeshja legjendare me Anglinë – rrëfimi i masazhatorit të tij personal

Salvatore Karmando, masazhatori personal i Diego Armando Maradonës gjatë Kupës së Botës 1986, ka ndarë kujtime nga një prej ndeshjeve më ikonike në historinë e futbollit, triumfi 2-1 i Argjentinës ndaj Anglisë në çerekfinalen e Botërorit në Meksikë.

Në një rrëfim plot emocione, Karmando kujton se Maradona e kishte paralajmëruar që përpara sfidës se do të realizonte diçka të jashtëzakonshme.

“Në janar të vitit 1986, Diego më tha: ‘Bëhu gati, sepse do të shkojmë në Kupën e Botës’. Kaluan pothuajse dy muaj në Meksikë dhe ai dëshironte që unë të isha gjithmonë pranë tij për ta ndihmuar në rikuperimin pas çdo ndeshjeje”, tregon Karmando.

Sipas tij, pak para përballjes me Anglinë, Maradona i kishte besuar një parashikim që më pas do të bëhej realitet.

“Më tha: ‘Sot duhet të shënoj një gol të jashtëzakonshëm. Nuk e di si, por do ta bëj’. Pas golit të dytë erdhi, më përqafoi dhe më tha: ‘Ta thashë se do ta bëja dhe e bëra’”, kujton ai.

Në atë ndeshje, Maradona shënoi fillimisht golin e famshëm të njohur si “Dora e Zotit”, ndërsa vetëm pak minuta më vonë realizoi atë që konsiderohet gjerësisht si “Goli i Shekullit”, duke dribluar disa lojtarë anglezë që nga mesfusha përpara se ta dërgonte topin në rrjetë.

Duke folur për golin e parë, Karmando nuk e humbet sensin e humorit. “Të gjithë thonë se shënoi me dorë, por nuk është e vërtetë. Ai shënoi me kokë”, thotë ai duke qeshur.

Pas triumfit në Botërorin e vitit 1986, skuadra argjentinase u prit nga një turmë e madhe tifozësh në Buenos Aires. Karmando tregon se kujtimi më i çmuar që ruan nga ai sukses është një kopje e trofeut të Kupës së Botës, të cilën e mban në kasafortën e bankës.

“Për mua, ai trofe përfaqëson Diegon”, shprehet ai.

Në fund, ish-masazhatori e përshkruan Maradonën si një njeri me zemër të madhe.

“Maradona ishte njeriu më i mirë në botë. Ndihmoi shumë njerëz dhe njerëz si Diego nuk ekzistojnë më”, përfundon Karmando.