SHPERBLIMI/ Ja shuma marramendëse që i ofrohet Tuhel nëse shpall Anglinë kampione bote

Kombëtarja angleze ka siguruar një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Botës dhe është vetëm dy ndeshje larg realizimit të ëndrrës së madhe për të fituar trofeun e parë botëror që nga viti 1966.

Një pjesë e rëndësishme e suksesit i atribuohet trajnerit gjerman Tomas Tuhel, i cili, pavarësisht kritikave për përzgjedhjet e tij, ka ndërtuar një skuadër konkurruese që po lufton për titullin.

Vendimi për të lënë jashtë emra të njohur si Phil Foden, Cole Palmer dhe Harry Maguire u vu në dyshim nga shumë tifozë dhe analistë, por rezultatet në fushë i kanë dhënë deri tani të drejtë teknikut gjerman. Tashmë Anglia përgatitet për përballjen me Argjentinën në gjysmëfinale.

Sipas raportimeve, nëse Tuhel arrin ta udhëheqë Anglinë drejt triumfit në Kupën e Botës, ai do të përfitojë një bonus prej 3 milionë paundësh, një nga shpërblimet më të mëdha të akorduara ndonjëherë për një trajner të përfaqësueses angleze.

Megjithatë, përtej përfitimit financiar, triumfi në Botëror do ta fuste emrin e Tuhelit në historinë e futbollit anglez, pasi do t’i jepte Anglisë titullin e shumëpritur botëror pas plot gjashtë dekadash.