“REBELIM” NE PD/ Tabaku kundër bojkotit të Berishës: Kuvendi është tribuna jonë, s’duhet ta braktisim

Brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike janë shfaqur qëndrime të ndryshme lidhur me vendimin për bojkotimin e seancës plenare. Mesazhe nga komunikimet e brendshme, të cilat kanë qarkulluar në media, tregojnë se disa deputetë kanë kundërshtuar këtë strategji, duke kërkuar pjesëmarrje në Kuvend.

Deputetja Jorida Tabaku është shprehur se mungesa në seancë i heq opozitës mundësinë për të zhvilluar debat publik dhe për të përballur qeverinë. Sipas saj, Kuvendi mbetet e vetmja tribunë ku opozita mund të ngrejë çështjet që konsideron prioritare dhe të kërkojë llogari nga institucionet.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe deputeti Bujar Leskaj, i cili e cilësoi bojkotin një vendim të gabuar. Ai argumentoi se opozita nuk duhet të humbasë mundësinë për të diskutuar raportimet e institucioneve si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Banka e Shqipërisë dhe Instituti i Statistikave, si edhe për të mbështetur kauzat e saj politike.

Edhe deputetja Ina Zhupa ka kujtuar se në mbledhjen e mëparshme të grupit parlamentar shumica e deputetëve ishin shprehur kundër bojkotit. Sipas saj, seanca kishte rëndësi të veçantë për çështjet zgjedhore dhe për rezolutat që lidhen me institucionet shtetërore, ndaj opozita duhej të ishte e pranishme.

Mesazhet e publikuara tregojnë se brenda Partisë Demokratike ka pasur debat mbi mënyrën se si duhet të zhvillohet aksioni politik, me një pjesë të deputetëve që kanë kërkuar vijimin e përballjes me mazhorancën nga foltorja e Kuvendit, në vend të bojkotit të seancave parlamentare.