Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, e ka cilësuar 14 korrikun si një “Super të Martë” për procesin e zgjerimit të BE-së, duke theksuar se për herë të parë në më shumë se dy dekada zhvillohen katër konferenca ndërqeveritare të anëtarësimit në të njëjtën ditë.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin social “X”, Kos deklaroi se Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi po shënojnë hapa të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian, duke e cilësuar këtë si një moment historik për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Sipas saj, Shqipëria do të formalizojë mbylljen e kapitujve të saj të parë të negociatave, ndërsa Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të procesit, pasi ka mbyllur tashmë 18 nga 33 kapitujt negociues.
Komisionerja nënvizoi se ritmi i krijuar duhet të shoqërohet me rezultate konkrete në terren dhe me vijimin e reformave nga vendet kandidate.
Ndërkohë, delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, do të marrë pjesë në konferencën ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, ku pritet të formalizohet mbyllja e tre kapitujve të negociatave: kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, kapitullit 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe kapitullit 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”, fusha që konsiderohen të harmonizuara me legjislacionin dhe standardet evropiane.
Konferenca është planifikuar të nisë në orën 19:00, ndërsa më pas do të zhvillohet një konferencë për shtyp, ku do të prezantohen rezultatet e takimit dhe ecuria e mëtejshme e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.









