FIFA ka vendosur të mos e përfshijë më arbitrin francez François Letexier në ndeshjet e mbetura të Kupës së Botës 2026.
Vendimi vjen pasi kombëtarja e Francës siguroi kualifikimin në fazën gjysmëfinale të turneut. Sipas rregullores së Komitetit të Arbitrave të FIFA-s, gjyqtarët që përfaqësojnë vendet e skuadrave gjysmëfinaliste nuk mund të drejtojnë më ndeshje në vazhdim të kompeticionit.
FIFA e zbaton këtë rregull për të garantuar paanshmërinë e garës dhe për të shmangur çdo dyshim për konflikt interesi gjatë fazave vendimtare të turneut.
Letexier ishte vënë në qendër të vëmendjes pas ndeshjes Egjipt–Argjentinë në fazën e 1/8-ave, ku vendimet e tij shkaktuan diskutime dhe reagime të shumta. Megjithatë, largimi i tij nga turneu nuk lidhet me një masë disiplinore apo me kritikat ndaj arbitrimit, por me zbatimin e rregullores së FIFA-s.
Për të njëjtën arsye është larguar nga lista e arbitrave edhe francezi tjetër Clément Turpin, ndërsa nuk do të drejtojnë ndeshje të mbetura as gjyqtarët që përfaqësojnë kombëtaret e tjera gjysmëfinaliste, Spanjën, Argjentinën dhe Anglinë.
Në dispozicion të FIFA-s mbetet arbitri francez Jérôme Brisard, por vetëm në rolin e gjyqtarit të sistemit VAR. Brisard nuk ka drejtuar asnjë takim si arbitër kryesor gjatë këtij Botërori dhe ka qenë i angazhuar vetëm në dhomën e teknologjisë së videove.
Me këtë vendim, FIFA ka qartësuar se largimi i Letexier është një procedurë standarde e parashikuar në rregulloren e turneut dhe nuk përbën ndëshkim ndaj arbitrit francez.









