Një vatër e fuqishme zjarri ka shpërthyer pasditen e së hënës në zonën e Llamanit, në bashkinë Himarë, duke përfshirë një sipërfaqe me bimësi në kodrat përreth dhe duke shkaktuar shqetësim te banorët dhe pushuesit.
Sipas pamjeve nga vendngjarja, flakët janë përhapur me shpejtësi në terren, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, ndërsa re të dendura tymi kanë mbuluar një pjesë të zonës.
Deri më tani nuk dihen shkaqet që kanë shkaktuar zjarrin, ndërsa dyshohet se kushtet e motit kanë ndikuar në përhapjen e shpejtë të flakëve.
Autoritetet pritet të ndërhyjnë për izolimin e vatrës dhe vënien nën kontroll të situatës, ndërsa do të hetohen edhe rrethanat që çuan në shpërthimin e zjarrit.
Temperaturat e larta dhe thatësira e ditëve të fundit kanë rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve në disa zona të vendit, duke mbajtur në gatishmëri strukturat e emergjencave civile dhe të shërbimit zjarrfikës.









