Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një nga aksionet më të mëdha mbikëqyrëse të viteve të fundit ndaj tregut të këmbimit valutor, duke i hequr licencën 83 zyrave të këmbimit gjatë vitit 2025. Vendimi është marrë pas kontrolleve të detajuara që evidentuan një sërë shkeljesh në funksionimin e këtyre subjekteve, përfshirë mangësi në identifikimin e klientëve, monitorimin e transaksioneve dhe zbatimin e rregullave kundër pastrimit të parave.
Sipas Raportit Vjetor të Mbikëqyrjes për vitin 2025, kontrollet u intensifikuan për shkak të nivelit të lartë të ekspozimit të këtij aktiviteti ndaj qarkullimit të parasë fizike dhe kontaktit të drejtpërdrejtë me publikun.
Gjatë inspektimeve u konstatuan problematika të shumta, ndër të cilat mungesa e procedurave të plota për identifikimin e klientëve, mosverifikimi i tyre kundrejt listave të sanksioneve ndërkombëtare, dobësi në monitorimin dhe raportimin e transaksioneve valutore, si edhe mangësi në analizimin e burimit të fondeve.
Për shkeljet e konstatuara, Banka e Shqipërisë mori masa administrative ndaj 201 zyrave të këmbimit valutor. Një subjekti iu dha tërheqje vëmendjeje, ndërsa për 83 zyra u vendos masa më e rëndë administrative – heqja e licencës për ushtrimin e aktivitetit.
Ndërkohë, gjatë vitit 2025 u licencuan 33 zyra të reja, por numri i përgjithshëm i subjekteve në treg pësoi një rënie të ndjeshme. Në fund të vitit, në vend operonin 592 zyra të këmbimit valutor, nga 642 që ishin në fund të vitit 2024, duke shënuar nivelin më të ulët që nga viti 2022.
Kjo përbën rënien e parë të ndjeshme të këtij sektori pas një periudhe gati dhjetëvjeçare zgjerimi të vazhdueshëm. Numri i zyrave të këmbimit ishte rritur nga 397 në vitin 2015 në një rekord prej 642 subjektesh në fund të vitit 2024.
Raporti i Bankës së Shqipërisë evidenton gjithashtu mungesë sistemesh të centralizuara për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, probleme në ruajtjen e dokumentacionit, si dhe dobësi në dokumentimin e kontrolleve ndaj klientëve dhe transaksioneve të tyre.
Banka e Shqipërisë thekson se mbikëqyrja e këtij sektori do të vijojë edhe në periudhën në vijim, me synim forcimin e transparencës, respektimin e standardeve ligjore dhe parandalimin e pastrimit të parave apo aktiviteteve të tjera të paligjshme në tregun valutor shqiptar.









