PARALAJMERIM/ Putin mesazh Ukrainës: Hakmarrja ruse do të jetë disa herë më e fuqishme

Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës në Ukrainë, duke deklaruar se Moska do t’u përgjigjet me forcë sulmeve të fundit ukrainase në territorin rus. Sipas tij, kundërpërgjigjja e Rusisë do të jetë “disa herë më e fuqishme”, ndërsa intensiteti i operacioneve ushtarake pritet të rritet.

Deklarata e Putinit vjen në një kohë kur Ukraina ka shtuar ndjeshëm sulmet me dronë ndaj objekteve strategjike ruse, duke goditur rafineri nafte, porte dhe infrastrukturë energjetike. Sipas tre burimeve pranë Kremlinit, të cituara nga agjencia Reuters, presidenti rus ka refuzuar thirrjet për rifillimin e bisedimeve të paqes me Kievin, duke argumentuar se sulmet ukrainase kanë forcuar vendosmërinë e Moskës për të vijuar operacionet ushtarake.

Autoritetet ruse kanë paralajmëruar se veprimet e Ukrainës do të marrin një përgjigje të ashpër, ndërsa sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe cisternave të naftës kanë shkaktuar probleme në furnizimin me karburant në disa zona të Rusisë.

Nga ana tjetër, komandanti i forcave ukrainase të sistemeve pa pilot bëri të ditur se gjatë natës dronët ukrainas goditën 15 mjete lundruese ruse në Detin e Azovit, mes tyre edhe shtatë cisterna që transportonin karburant.

Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se forcat ruse kanë kryer sulme ndaj infrastrukturës që, sipas Moskës, përdoret për transportin e pajisjeve ushtarake drejt ushtrisë ukrainase. Sipas autoriteteve ruse, sulmet kanë shkaktuar dëme në portin e Çornomorskit, pranë Odesës.

Në një deklaratë të mëvonshme, ministria bëri të ditur se dronët rusë goditën edhe dy anije mallrash në portin e Pivdenit, në rajonin e Odesës, të cilat, sipas Moskës, përdoreshin nga forcat e armatosura ukrainase për qëllime logjistike.

Përplasjet e ditëve të fundit tregojnë se konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës po hyn në një fazë të re përshkallëzimi, me sulme të ndërsjella ndaj infrastrukturës strategjike dhe me paralajmërime për operacione edhe më intensive në javët në vijim.