STATISTIKAT/ OBSH vë alarmin: Rastet me kancer pritet të shpërthejnë me 66.7% deri në vitin 2050

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka publikuar një raport të ri që ngre alarmin për rritjen e ndjeshme të rasteve me kancer në dekadat e ardhshme. Sipas parashikimeve, deri në vitin 2050 numri i rasteve të reja në nivel global do të rritet me 66.7%, ndërsa vendet me të ardhura të ulëta do të mbajnë barrën më të rëndë të kësaj sëmundjeje.

Raporti thekson se plakja e popullsisë, shtimi i numrit të banorëve në botë dhe ekspozimi gjithnjë e më i madh ndaj faktorëve të rrezikut, si ndotja e ajrit, duhanpirja, ushqyerja jo e shëndetshme dhe mënyra sedentare e jetesës, do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e rasteve me kancer.

Sipas OBSH-së, rritja më e madhe e incidencës së kancerit pritet të regjistrohet në Afrikë, ku rastet mund të shtohen me 125.2%, ndërsa në rajonin e Mesdheut Lindor parashikohet një rritje prej 109.8%.

Raporti vë në dukje edhe pabarazitë e mëdha mes vendeve të pasura dhe atyre me të ardhura të ulëta në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjes. Mbijetesa pesëvjeçare për pacientët me kancer gjiri dhe për fëmijët me kancer kalon 85% në vendet e zhvilluara, ndërsa në vendet më të varfra zbret nën 45%.

Ekspertët paralajmërojnë se në shumë shtete pacientët diagnostikohen vetëm kur sëmundja ka arritur në faza të avancuara, duke ulur ndjeshëm mundësitë për trajtim efektiv dhe shërim.

Sipas të dhënave të raportit, aktualisht një në pesë persona në botë rrezikon të diagnostikohet me kancer gjatë jetës së tij, ndërsa 92% e popullsisë do të përjetojë diagnostikimin e kësaj sëmundjeje tek një anëtar i ngushtë i familjes.

Vetëm gjatë vitit 2024 u regjistruan rreth 20.6 milionë raste të reja me kancer dhe afro 9.7 milionë persona humbën jetën si pasojë e kësaj sëmundjeje, duke e renditur atë si shkakun e dytë kryesor të vdekjeve në botë, pas sëmundjeve kardiovaskulare.

Në përfundim, Organizata Botërore e Shëndetësisë u bën thirrje qeverive të shtojnë investimet në programet e parandalimit, depistimit të hershëm, diagnostikimit dhe trajtimit të kancerit, duke theksuar se masat që do të ndërmerren sot do të përcaktojnë përmasat e barrës globale të kësaj sëmundjeje në dekadat e ardhshme.