Kryeministri Edi Rama ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë për homologun e tij në Kosovë, Albin Kurti, duke deklaruar se nuk ndërhyn në punët e brendshme të Kosovës dhe se nuk do t’i lejonte vetes të bënte atë që, sipas tij, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë në Shqipëri gjatë protestave të javëve të fundit.
Nga një takim me të rinjtë në Jalë, vetëm pak orë përpara zhvillimit të një tjetër proteste para Kryeministrisë në Tiranë, Rama tha se ka ndjekur gjithmonë të njëjtin parim në raport me Kosovën.
“Qysh herët e kam pasur vijën time të kuqe. Nuk bëj babën e askujt që ka shtëpinë e vet. Kosova ka institucionet e saj dhe vendimet i merr vetë. Ka pasur një kohë kur të tjerët i tregonin Kosovës se çfarë duhej të bënte dhe ato kanë qenë vite të vështira që sollën vetëm pasoja”, u shpreh kryeministri.
Duke komentuar raportin me Albin Kurtin, Rama theksoi se, megjithëse synimet strategjike janë të përbashkëta, mënyra se si bëhet politika është e ndryshme.
“Fatmirësisht qëllimet i kemi të përbashkëta, por metodat i kemi të ndryshme”, deklaroi ai.
Kryeministri u ndal edhe te protestat e zhvilluara së fundmi kundër projektit turistik në Zvërnec, duke pretenduar se debati u zbeh pasi, sipas tij, qytetarët u njohën me faktet reale.
Rama theksoi se nuk ekziston ende një marrëveshje përfundimtare për projektin dhe se qeveria nuk ka shitur pronë publike, por ka negociuar që shteti shqiptar të mbetet bashkëpronar në sipërmarrje.
“Realiteti është krejt ndryshe nga ai që është paraqitur. Jo vetëm që nuk është shitur asnjë pronë publike, por edhe sot që flasim nuk ka ende një marrëveshje, sepse qeveria ka këmbëngulur që Shqipëria të jetë pjesë si pronare në këtë investim”, tha ai.
Rama foli edhe për ndikimin e rrjeteve sociale, duke akuzuar algoritmet dhe përmbajtjet e manipuluara se kanë përhapur dezinformim, duke dëmtuar imazhin e Shqipërisë dhe sektorin e turizmit.
Sipas tij, publikimi masiv i materialeve të manipuluara ka ndikuar në anulimin e rezervimeve turistike dhe ka goditur drejtpërdrejt bizneset që operojnë në këtë sektor.
“Algoritmet e rrjeteve sociale amplifikojnë negativitetin dhe videot e manipuluara. Pasoja kanë qenë anulime të shumta rezervimesh dhe dëmtim i punës së mijëra njerëzve që jetojnë nga turizmi”, u shpreh kryeministri.









