Reperi amerikan me famë botërore, Kanye West, është pritur nga Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në prag të koncertit që do të mbajë mbrëmjen e së shtunës në “Eagle Stadium”, në Kashar.
Lajmin e bëri publik vetë kreu i qeverisë, i cili ndau në rrjetet sociale një video nga takimi me artistin amerikan. Në pamje, Rama shfaqet duke e njohur Kanye West me elemente të historisë, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare, në një bisedë miqësore të zhvilluar gjatë vizitës.
Prania e një prej emrave më të njohur të industrisë muzikore ndërkombëtare në Shqipëri ka ngjallur interes të madh, ndërsa koncerti i tij pritet të mbledhë mijëra spektatorë nga Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia e Tiranës ka hartuar një plan të posaçëm masash, duke vendosur kufizime të përkohshme të qarkullimit të automjeteve në zonën përreth autostradës Tiranë–Durrës, ku ndodhet arena e koncertit.
“Eagle Stadium”, ku do të zhvillohet eventi, është ndërtuar në një sipërfaqe prej rreth 65 mijë metrash katrorë, në kilometrin e parë të autostradës Tiranë–Durrës. Për organizimin e këtij spektakli ndërkombëtar, qeveria shqiptare ka akorduar një fond prej 4 milionë eurosh.
Koncerti i Kanye West konsiderohet një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri dhe pritet të tërheqë vëmendjen e publikut dhe mediave ndërkombëtare.









