OSBE i bën thirrje politikës shqiptare për dialog: Tarran nga Korça vlerëson protestat dhe kritikon gjuhën e urrejtjes

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, ka reaguar për situatën politike në vend, duke u ndalur te protestat qytetare që po zhvillohen prej 41 ditësh në Tiranë, e drejta e qytetarëve për tubim dhe nevoja për një klimë më të shëndetshme dialogu mes palëve politike.

Gjatë një deklarate për mediat nga Korça, diplomati theksoi se protesta është një element normal i një shoqërie demokratike, ndërsa vlerësoi faktin që tubimet janë zhvilluar në përgjithësi në mënyrë paqësore.

“Protestat janë një aspekt normal i jetës demokratike dhe është pozitive që Shqipëria është një vend ku qytetarët mund të organizojnë protesta të tilla. Ato janë zhvilluar në mënyrë shumë qytetare dhe paqësore. Ka pasur disa incidente, por në më shumë se një muaj nuk ka pasur ngjarje të rëndësishme”, deklaroi Tarran.

Ambasadori i OSBE-së u shpreh se organizimi i protestave dhe kërkesat e qytetarëve janë pjesë e debatit demokratik, ndërsa nënvizoi rëndësinë që institucionet të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë e tyre.

Ai shtoi se OSBE inkurajon dialogun politik sa herë që kjo është e mundur, duke shmangur përplasjet dhe tensionet e panevojshme.

Duke folur për klimën politike në Shqipëri, Tarran u ndal te fenomeni i polarizimit politik, duke theksuar se ekzistenca e ideve dhe forcave të ndryshme politike është një element pozitiv i demokracisë.

Sipas tij, problemi nuk qëndron te fakti që partitë kanë qëndrime të ndryshme, por te mënyra se si ato bashkëpunojnë dhe komunikojnë me njëra-tjetrën.

“Ekzistenca e poleve të ndryshme politike është diçka normale në një demokraci. Një gjë tjetër është mënyra se si bashkëpunojnë dhe diskutojnë këto palë. Fatkeqësisht, dialogu politik në Shqipëri nuk është në nivelin e duhur”, tha ambasadori.

Ai kritikoi gjithashtu përdorimin e gjuhës së ashpër dhe retorikës së urrejtjes në politikë, duke theksuar se kundërshtimi i ideve është i natyrshëm, por duhet të shoqërohet me respekt dhe komunikim institucional.

“Është normale të mos jesh dakord me dikë, por duhet të diskutosh, duhet të ketë zgjedhje dhe duhet të respektohet rezultati i tyre. Fituesi zbaton programin e tij, ndërsa opozita duhet të ketë hapësirën për të dialoguar”, u shpreh Tarran.

Ambasadori bëri të ditur se OSBE do të vijojë punën për të ndihmuar në uljen e tensioneve politike dhe luftën kundër gjuhës së urrejtjes, duke e cilësuar dialogun konstruktiv si një nga sfidat kryesore të demokracisë shqiptare.