Tirana po përgatitet për një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri. Koncerti i yllit amerikan Kanye West ka sjellë një fluks të madh vizitorësh nga vende të ndryshme të botës, duke kthyer kryeqytetin në qendrën e vëmendjes ndërkombëtare.
Në Eagle Stadium në Kashar po përfundojnë përgatitjet e fundit për spektaklin që pritet të mbledhë rreth 60 mijë spektatorë. Organizatorët kanë bërë të ditur se dyert e stadiumit do të hapen të shtunën në orën 17:00, ndërsa publiku do të ndahet në rreth 30 mijë vende në këmbë dhe 30 mijë vende ulur.
Përmasat e aktivitetit kanë kërkuar një organizim të veçantë, me sinjalistikë dhe masa shtesë për menaxhimin e turmave, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve që të mbërrijnë më herët për të shmangur vonesat.
Koncerti ka tërhequr mijëra turistë të huaj, të cilët kanë nisur të mbushin rrugët e Tiranës jo vetëm për të ndjekur performancën e Kanye West, por edhe për të vizituar qytetin.
Disa prej tyre kanë shprehur entuziazmin për mundësinë për ta parë artistin amerikan drejtpërdrejt, duke vlerësuar stilin e tij muzikor dhe ndikimin që ka pasur në skenën botërore.
Përveç aspektit kulturor, eventi pritet të ketë ndikim edhe në ekonominë lokale. Rritja e numrit të vizitorëve ka sjellë shtim të kërkesave për akomodim, veçanërisht për qiratë afatshkurtra në Tiranë.
Agjentët e pasurive të paluajtshme thonë se aktivitete të tilla ndërkombëtare krijojnë një rritje të menjëhershme të kërkesës për apartamente ditore dhe mund të ndikojnë pozitivisht në tregun e turizmit dhe investimeve.
Koncerti i Kanye West shihet si një mundësi e rëndësishme për promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke e vendosur vendin në hartën e destinacioneve për evente të mëdha muzikore dhe kulturore.









