Një seri sulmesh me dronë nga Ukraina ka shkaktuar zjarre në objekte të rëndësishme të industrisë energjetike ruse, duke vënë sërish në alarm autoritetet e Moskës.
Sipas njoftimeve nga zyrtarët rajonalë rusë, një rafineri nafte në jug të vendit u përfshi nga flakët pas sulmeve gjatë natës. Objektivi kryesor ishte rafineria “Ilsky”, në rajonin e Krasnodarit, një nga impiantet energjetike ruse që është goditur disa herë gjatë muajve të fundit.
Autoritetet lokale deklaruan se zjarri shpërtheu pas sulmit me dronë, por deri tani nuk janë raportuar persona të plagosur. Ekipet e emergjencës u angazhuan për izolimin dhe shuarjen e flakëve në zonën e prekur.
Sulme të tjera u raportuan edhe në rajonin e Rostovit. Guvernatori rajonal, Yuri Slyusar, bëri të ditur se në qytetin e Azovit u përfshinë nga zjarri dy depo nafte dhe një ndërtesë administrative.
Sipas tij, edhe zona portuale e Taganrogut ishte në shënjestër të sulmeve, ndërsa forcat zjarrfikëse vijuan punën për neutralizimin e pasojave. Autoritetet ruse deklaruan se nuk pati viktima.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Federatës Ruse njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin rrëzuar më shumë se 370 dronë gjatë natës në zona të ndryshme të territorit rus.
Sulmet ukrainase me mjete pa pilot janë intensifikuar gjatë periudhës së fundit, duke synuar jo vetëm objektiva ushtarake, por edhe infrastrukturën strategjike të Rusisë, përfshirë rafineritë e naftës, depot e karburanteve dhe impiantet që lidhen me industrinë e mbrojtjes.
Kievi e ka përdorur këtë strategji si pjesë të përpjekjeve për të dobësuar kapacitetet logjistike dhe financiare të Moskës gjatë luftës, ndërsa autoritetet ruse kanë pranuar se sulmet ndaj objekteve energjetike kanë shkaktuar vështirësi në disa rajone.
Sipas vlerësimeve të ndryshme, goditjet e vazhdueshme ndaj rafinerive kanë ndikuar në kapacitetet e përpunimit të naftës në Rusi dhe kanë sjellë shqetësime për furnizimin me karburante në disa zona të vendit.









