Komplot për atentat ndaj Trump me dronë dhe snajperë – 8 persona nën akuzë për terrorizëm në SHBA

Tetë persona janë vënë nën akuzë nga autoritetet federale në Shtetet e Bashkuara, pasi dyshohet se kishin planifikuar një sulm terrorist ndaj një eventi të UFC-së të zhvilluar në ambientet e Shtëpisë së Bardhë më 14 qershor. Sipas aktakuzës, objektiv i sulmit do të ishte presidenti Donald Trump, së bashku me disa zyrtarë dhe personalitete të njohura.

Përveç Trump, në listën e objektivave të dyshuar përfshiheshin edhe zëvendëspresidenti JD Vance, kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu, si dhe sipërmarrësi Elon Musk.

Sipas Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara, të pandehurit akuzohen për komplot për të ofruar mbështetje materiale për terroristët dhe komplot për të kryer vrasje në territor federal, vepra penale që, nëse provohen në gjykatë, mund të dënohen deri me burgim të përjetshëm.

Personat e akuzuar janë Abraham Alvarez, Daniel Eskridge, William Faulkner, Tycen Proper, Jordan Rinker, Brian Roa, Chandler Skaggs dhe Michael Thomas.

Sipas hetimeve, grupi kishte nisur përgatitjet që në muajin maj, duke siguruar armë zjarri, municione, jelekë antiplumb, eksplozivë, dronë, pajisje komunikimi, materiale mjekësore dhe mjete të tjera logjistike të nevojshme për realizimin e sulmit.

Prokurorët pretendojnë se komunikimi dhe koordinimi mes anëtarëve të grupit zhvillohej përmes aplikacioneve Signal, SimpleX, Discord, TikTok dhe Instagram. Sipas aktakuzës, ata kishin krijuar edhe një strukturë të organizuar me role të përcaktuara për secilin pjesëmarrës.

Dokumentet e gjykatës pretendojnë se anëtarët e grupit ishin të gatshëm të përdornin forcë vdekjeprurëse dhe kishin planifikuar të sulmonin edhe efektivët e agjencive federale që do të ndodheshin në detyrë gjatë aktivitetit.

Sipas autoriteteve, të dyshuarit planifikonin të udhëtonin drejt Uashingtonit nga shtetet Nebraska, Missouri, Washington, Ohio, Virxhinia Perëndimore dhe Kalifornia, ndërsa kishin hartuar edhe një plan arratisjeje pas kryerjes së sulmit.

Drejtori i Byroja Federale e Hetimit, Kash Patel, deklaroi se komploti u zbulua katër ditë përpara zhvillimit të eventit, pas përgjimeve të komunikimeve në aplikacionin Signal.

“Falë veprimit të shpejtë të FBI-së, partnerëve tanë dhe Departamentit të Drejtësisë, disa persona ndodhen tashmë në paraburgim dhe sulmi u parandalua përpara se të vihej në zbatim”, u shpreh Patel.

Nëse shpallen fajtorë, të tetë të akuzuarit rrezikojnë dënime shumë të rënda. Akuza për komplot për vrasje parashikon burgim të përjetshëm, ndërsa ajo për mbështetje materiale ndaj terrorizmit mund të dënohet deri me 15 vite burg.