Kursimet e qytetarëve dhe bizneseve shqiptare në sistemin bankar kanë arritur një nivel rekord, duke prekur vlerën e 1.8 trilionë lekëve në fund të vitit 2025. Të dhënat më të fundit të publikuara në Raportin e Mbikëqyrjes të Banka e Shqipërisë tregojnë se depozitat kanë shënuar një rritje prej 9.1% krahasuar me një vit më parë, duke konfirmuar besimin e vazhdueshëm të qytetarëve dhe bizneseve te bankat.
Sipas raportit, depozitat mbeten burimi kryesor i financimit për sistemin bankar shqiptar. Mbi 80% e fondeve që përdorin bankat për aktivitetin e tyre sigurohen nga kursimet e klientëve, çka e bën bazën e depozitave një element kyç për stabilitetin financiar dhe financimin e ekonomisë.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është rritja e peshës së depozitave në lekë, të cilat tashmë përbëjnë 49% të totalit. Kjo tregon një prirje në rritje të qytetarëve dhe bizneseve për të mbajtur kursimet në monedhën kombëtare, ndërsa është shtuar edhe interesi për depozitat me afat, veçanërisht ato afatgjata.
Raporti evidenton gjithashtu një përqendrim më të madh të kursimeve te depozituesit më të mëdhenj. Dhjetë klientët me depozitat më të larta zotërojnë rreth 7.5% të gjithë depozitave në sistemin bankar, një peshë më e lartë krahasuar me vitin paraardhës.
Pjesën dërrmuese të kursimeve vijojnë ta mbajnë individët, të cilët përfaqësojnë rreth 78% të totalit të depozitave. Ndërkohë, rritja më e ndjeshme është regjistruar te depozitat e sektorit privat dhe familjeve, ndërsa fondet e sektorit publik janë zgjeruar me ritme më të moderuara.
Raporti tregon gjithashtu se bankat po përdorin një pjesë gjithnjë e më të madhe të kursimeve për financimin e ekonomisë. Në fund të vitit 2025, raporti kredi-depozita arriti në 51.5%, nga 49.6% një vit më parë, duke reflektuar zgjerimin e kreditimit pa cenuar nivelet e likuiditetit të sistemit bankar.
Në të njëjtën kohë, kreditimi në lekë vijon të mbështetet më fort nga depozitat në monedhën vendase, duke forcuar rolin e kursimeve të qytetarëve në financimin e ekonomisë shqiptare dhe duke kontribuar në stabilitetin e sektorit bankar.









