Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Eralbi Breçanin, duke rrëzuar kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë.
Breçani vijon të qëndrojë në paraburgim, pasi akuzohet si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të Ervin Matës, i përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të 446 kilogramëve kokainë, si dhe në pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale.
Sipas dosjes hetimore, ai akuzohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim.
Eralbi Breçani ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në nëntor të vitit 2023. Pas më shumë se një viti në arrati, ai u vetëdorëzua pranë autoriteteve në Spanjë në muajin prill të këtij viti.
Më pas, autoritetet spanjolle miratuan ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ndërsa në qershor 2026 ai u soll në vend për t’u përballur me drejtësinë shqiptare.
Me vendimin e sotëm të Apelit të GJKKO-së, Breçani do të vijojë të qëndrojë në qeli, ndërsa hetimet dhe procedurat gjyqësore ndaj tij vazhdojnë.









