Përpjekjet e Serbisë për të avancuar në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian kanë pësuar një tjetër pengesë, pasi tetë shtete anëtare bllokuan hapjen e një kapitulli të ri negociues, duke i dhënë një sinjal të fortë Beogradit për ngadalësimin e reformave.
Ambasadorët e vendeve të BE-së nuk arritën të siguronin unanimitetin e nevojshëm për hapjen e Klasterit 3, i cili lidhet me konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse. Sipas burimeve diplomatike, kundër këtij hapi votuan Holanda, Suedia, Finlanda, Belgjika, Estonia, Lituania, Bullgaria dhe Kroacia.
Ndërkohë, Danimarka, Luksemburgu dhe Letonia nuk e kundërshtuan plotësisht procesin, por kërkuan garanci shtesë për ecurinë e reformave në Serbi. Në anën tjetër, Franca vijon të mbështesë perspektivën evropiane të Beogradit. Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar më herët se Bashkimi Evropian ka nevojë për një “Serbi të fortë dhe demokratike”.
Sipas diplomatëve evropianë, rezervat e vendeve anëtare lidhen kryesisht me mangësitë në sundimin e ligjit, reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, si dhe me refuzimin e Serbisë për t’u harmonizuar me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.
Megjithatë, Komisioni Evropian vlerëson se Serbia ka bërë përparime në disa fusha, përfshirë ndryshimet në legjislacionin e drejtësisë, lirinë e medias, reformën zgjedhore dhe bashkëpunimin me BE-në në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Sipas Brukselit, Beogradi ka kontribuar edhe në parandalimin e shmangies së sanksioneve ndaj Rusisë, ka mbështetur Ukrainën dhe ka intensifikuar kontaktet politike me Kievin, edhe pse ende nuk i është bashkuar zyrtarisht regjimit evropian të sanksioneve kundër Moskës.
Në të njëjtën ditë, Parlamenti Evropian miratoi me 468 vota pro, 116 kundër dhe 79 abstenime raportin për zgjerimin e vitit 2025. Dokumenti i bën thirrje Serbisë të përshpejtojë reformat në sistemin zgjedhor, të forcojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të intensifikojë luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se nga pikëpamja teknike Klasteri 3 është gati për t’u hapur.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi se situata në vend është përkeqësuar gjatë viteve të fundit dhe se ritmi i reformave është ngadalësuar ndjeshëm.
“Ndërsa Mali i Zi dhe Shqipëria po ecin përpara në negociatat e anëtarësimit, reformat e Serbisë në fushat kyçe, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe standardet demokratike, kanë ngecur”, u shpreh ai.
Nga ana e tij, presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane dhe se autoritetet do të shqyrtojnë të gjitha rekomandimet e Bashkimit Evropian për të vijuar procesin e anëtarësimit.









