Kryeministri Edi Rama ka reaguar me entuziazëm pasi u konfirmua zyrtarisht se Samiti i ardhshëm i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë, duke e cilësuar këtë një moment historik dhe krenarie për Shqipërinë.
Pak orë pas njoftimit të bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, Rama publikoi në rrjetet sociale një fotografi ku shfaqet në krah të tij gjatë punimeve të Samitit në Ankara.
“AI MOMENTI I KRENARISË kur të bëhet zemra mal, pasi kalojnë vite me shumë punë e durim të madh dhe vjen dita kur e paimagjinueshmja bëhet e mundur, e i thua Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s: SHIHEMI NË SHQIPËRI PËR SAMITIN E ARDHSHËM”, shkroi Rama.
Kreu i qeverisë e cilësoi vendimin si rezultat të punës së gjatë dhe angazhimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke theksuar se ajo që dikur dukej e pamundur, tashmë është bërë realitet.
Konfirmimi se Tirana do të presë Samitin e ardhshëm të NATO-s është pritur me entuziazëm në vend, pasi Shqipëria do të organizojë për herë të parë takimin më të lartë të Aleancës, duke shënuar një moment të rëndësishëm në historinë e saj si vend anëtar i NATO-s.









