Skandal i rëndë në Botëror/ FBI heton Federatën Argjentinase – Dyshohet për pastrim parash dhe transaksione

Një tjetër skandal ka tronditur Kampionatin Botëror, këtë herë jashtë fushës së lojës. Autoritetet federale amerikane kanë nisur një hetim ndaj Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA), e cila dyshohet për pastrim parash dhe parregullsi financiare që, sipas hetuesve, përfshijnë transaksione me vlerë mbi 300 milionë dollarë.

Hetimi po zhvillohet nga Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe Departamenti Amerikan i Drejtësisë, të cilët po shqyrtojnë mënyrën se si janë administruar kontratat tregtare ndërkombëtare të federatës argjentinase dhe nëse janë përdorur kompani apo institucione bankare me bazë në Shtetet e Bashkuara për të fshehur origjinën e fondeve.

Një nga zhvillimet kryesore të hetimit u regjistrua në Majami, ku agjentët federalë morën në pyetje biznesmenin Guillermo Tofoni. Marrja në pyetje zgjati më shumë se dy orë dhe u përqendrua te struktura financiare e përdorur për menaxhimin e marrëveshjeve komerciale të Federatës Argjentinase të Futbollit.

Në të njëjtën kohë, në Shtetet e Bashkuara ndodhet edhe delegacioni zyrtar i Argjentinës, i kryesuar nga presidenti i AFA-s, Claudio “Chiqui” Tapia, çka i ka dhënë çështjes një jehonë edhe më të madhe.

Situata bëhet edhe më delikate për Tapan, i cili përballet me hetime edhe në Argjentinë. Ai dyshohet për keqmenaxhim të fondeve tatimore dhe pensionale me vlerë mbi 19 miliardë peso argjentinase. Pavarësisht këtyre procedurave, ai kishte marrë autorizimin e gjykatës për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara gjatë zhvillimit të Kupës së Botës.

Hetimi amerikan drejtohet nga prokurorët federalë Patrick Gushue, Christopher Ting dhe Michael Berger, të specializuar në krimet ekonomike. Ata po analizojnë dokumentacionin financiar dhe rrjedhën e transfertave monetare për të përcaktuar nëse ekzistojnë elementë të mjaftueshëm për ngritjen e akuzave penale.

Deri në këtë fazë nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare, ndërsa autoritetet amerikane e cilësojnë procedurën si një hetim paraprak, që synon të identifikojë të gjithë personat dhe subjektet e përfshira në skemën e dyshuar financiare.

Ndërkohë, polemikat që shoqërojnë Botërorin nuk ndalen me kaq. Sipas raportimeve, edhe në Parlamentin Evropian është kërkuar hapja e një hetimi mbi drejtimin e FIFA-s nga Gianni Infantino, si dhe mbi pretendimet për vendime arbitrimi që dyshohet se kanë favorizuar skuadra të caktuara gjatë këtij edicioni të Kupës së Botës.

Me zhvillimet e fundit, Botërori po shoqërohet jo vetëm nga emocionet sportive, por edhe nga një seri hetimesh dhe skandalesh që rrezikojnë të lënë në hije spektaklin e futbollit.