FIFA nën furinë e reagimeve/ Vendimi për Balogun ndez polemika – Kritikohet si precedent i rrezikshëm

Vendimi i FIFA për të pezulluar zbatimin e kartonit të kuq të sulmuesit të Shteteve të Bashkuara, Folarin Balogun, duke i lejuar atij të luajë në sfidën ndaj Belgjikës në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës, ka shkaktuar reagime të forta dhe një debat të gjerë në futbollin ndërkombëtar.

Sipas një analize të publikuar nga Al Jazeera, vendimi ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si FIFA interpreton rregullat disiplinore, ndërsa shumë ekspertë paralajmërojnë se ai mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për kompeticionet e ardhshme.

Balogun u ndëshkua me karton të kuq gjatë fitores 2-0 të SHBA-së ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës, pasi gjyqtari, pas rishikimit të pamjeve me sistemin VAR, e përjashtoi nga loja për një ndërhyrje ndaj Tarik Muharemović. Sipas rregulloreve të FIFA-s, kartoni i kuq sjell automatikisht pezullimin për ndeshjen e radhës.

Megjithatë, situata mori një kthesë të papritur pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke kërkuar rishikimin e rastit. Më pas, FIFA njoftoi se kishte pezulluar zbatimin e dënimit, duke i hapur rrugë aktivizimit të Balogun ndaj Belgjikës.

Organizmi botëror argumentoi se vendimi u mbështet në nenin 27 të Kodit Disiplinor, i cili lejon pezullimin e zbatimit të një mase disiplinore në raste të caktuara. Megjithatë, ky interpretim u kundërshtua nga Federata Belge e Futbollit, e cila theksoi se rregullorja e Kupës së Botës parashikon pezullim automatik pas një kartoni të kuq.

Federata belge njoftoi se po shqyrton të gjitha mundësitë ligjore për të kundërshtuar vendimin, duke argumentuar se ai cenon parimin e lojës së ndershme dhe dëmton besueshmërinë e turneut.

Reagime të forta erdhën edhe nga UEFA, e cila e cilësoi vendimin si “të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm”, duke paralajmëruar se një interpretim i tillë i rregullave mund të krijojë pasiguri në trajtimin e rasteve disiplinore në të ardhmen.

Kritika shprehën edhe figura të njohura të futbollit. Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, deklaroi se kartonët e kuq nuk duhet të anulohen për shkak të ndërhyrjeve politike, por vetëm mbi bazën e rregullave dhe vendimeve të organeve të pavarura. Edhe trajneri i Belgjikës, Rudi Garcia, si dhe trajnerët Thomas Tuchel dhe Ståle Solbakken, ngritën pikëpyetje mbi kompetencat e FIFA-s dhe pasojat që mund të ketë ky rast.

Nga ana tjetër, trajneri i SHBA-së, Mauricio Pochettino, mbrojti vendimin, duke argumentuar se kartoni i kuq ishte i padrejtë dhe se skuadra amerikane kishte vuajtur tashmë pasojat e tij duke luajtur për më shumë se 30 minuta me një futbollist më pak.

Vetë Trump e mbrojti publikisht ndërhyrjen e tij, ndërsa Infantino pranoi se kishte biseduar me presidentin amerikan, por këmbënguli se vendimet disiplinore merren nga organe të pavarura dhe se ai nuk kishte ushtruar ndikim në proces.

Sipas analizës së Al Jazeera-s, polemika tashmë shkon përtej aktivizimit të Balogun ndaj Belgjikës dhe është kthyer në një debat mbi pavarësinë e organeve disiplinore të FIFA-s, transparencën e vendimmarrjes dhe mundësinë e ndikimit politik në çështje që deri më tani konsideroheshin ekskluzivisht sportive.