Model hibrid për administrimin zgjedhor – Komisioneri Ilirian Celibashi: Shqipëria ende nuk është gati për depolitizimin

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, vlerëson se Shqipëria nuk ka arritur ende në fazën kur administrimi i zgjedhjeve mund t’u besohet plotësisht strukturave të depolitizuara. Sipas tij, ndonëse rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare kanë kërkuar prej vitesh depolitizimin e administratës zgjedhore, kushtet aktuale në vend nuk e bëjnë të mundur zbatimin e një modeli të tillë.

Gjatë raportimit në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Celibashi u shpreh se është koha për të ndryshuar mënyrën e administrimit të zgjedhjeve në nivelet e dyta dhe të treta, duke mos ia lënë këtë proces ekskluzivisht partive politike. Megjithatë, ai theksoi se nuk mbështet idenë që komisionet zgjedhore të përbëhen vetëm nga nëpunës civilë, pasi sipas tij Shqipëria nuk është ende gati për një administrim plotësisht të depolitizuar.

“Mendoj se ka ardhur koha që në procesin e administrimit të zgjedhjeve nivelin e 2 dhe të 3 të mos jetë vetë domeini i Partive Politike dhe nga an tjetër UNË si komisioner shtetëror nuk jam me idenë që anëtarët e këtyre komisioneve të jenë nënpunës civilë, jemi akoma herët që ky proces të administrohet tërësisht nga nënpunësit civilë”,- thotë Celibashi.

Në vend të kësaj, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve propozoi një model hibrid, ku partitë politike do të vazhdojnë të kenë rol në administrimin e procesit zgjedhor, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë më shumë kompetenca në përzgjedhjen dhe administrimin e komisionerëve zgjedhorë.

Celibashi ngriti gjithashtu nevojën për ndryshimin e mënyrës së numërimit të votave, duke argumentuar se përmirësimi i administrimit zgjedhor dhe modernizimi i procesit janë të domosdoshme për rritjen e besimit të publikut dhe garantimin e standardeve më të larta në zgjedhjet e ardhshme.