Ukraina godet në zemër të Rusisë – Rafineria më e madhe përfshihet nga flakët pas sulmit me dronë

Ushtria ukrainase ka ndërmarrë një tjetër sulm me rreze të gjatë veprimi në territorin rus, duke goditur rafinerinë e naftës në Omsk, e konsideruar si më e madhja në Rusi dhe një nga objektet më të rëndësishme të industrisë energjetike të vendit.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, sulmi u krye me dronë dhe shkaktoi një zjarr në kompleksin industrial, i cili ndodhet rreth 2,700 kilometra larg territorit të kontrolluar nga Kievi, në rajonin e Omskut, pranë kufirit të Rusisë me Kazakistanin.

Autoritetet ukrainase e cilësuan operacionin si një nga goditjet me rrezen më të gjatë të realizuara që nga nisja e luftës, duke theksuar se objektivi ishte një infrastrukturë strategjike që furnizon sektorin energjetik rus.

Nga ana tjetër, guvernatori i rajonit të Omskut, Vitaly Khotsenko, konfirmoi se rafineria ishte vënë në shënjestër nga dronët ukrainas. Ai deklaroi se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore arritën të rrëzonin shumicën e dronëve, megjithatë një pjesë e tyre goditi objektivin, duke shkaktuar zjarr.

Sulmi vjen në një kohë kur Ukraina ka shtuar operacionet ndaj infrastrukturës strategjike brenda territorit rus, duke synuar dobësimin e kapaciteteve logjistike dhe energjetike të Moskës në vijim të luftës.