Zjarr masiv në Koxhas të Fushë-Shijakut, flakët arrijnë pranë autostradës Tiranë-Durrës

Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë pasditen e së hënës zonën e Koxhasit, në Fushë-Shijak, duke shkaktuar alarm për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve, të favorizuara nga era e fortë.

Vatra e zjarrit është afruar pranë autostradës Tiranë-Durrës, duke detyruar Policinë të ndërpresë përkohësisht qarkullimin e automjeteve në këtë segment rrugor. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin zonën dhe të respektojnë udhëzimet e efektivëve në terren deri në normalizimin e situatës.

Sipas të dhënave paraprake, flakët rrezikojnë edhe një fabrikë letre që ndodhet pranë zonës së përfshirë nga zjarri, ndërsa strukturat e emergjencës po punojnë për të penguar përhapjen e mëtejshme të tyre.

Në operacion janë angazhuar zjarrfikëset e Shijakut dhe Durrësit, të mbështetura edhe nga dy mjete zjarrfikëse të ardhura nga Tirana. Ekipet vijojnë punën intensive për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa shkaqet që kanë shkaktuar zjarrin ende nuk janë bërë të ditura dhe pritet të zbardhen pas hetimeve të autoriteteve përkatëse.