Protesta hyn në një fazë të re – Grupi Nismëtar nis rrugën për Kuvendin Kombëtar dhe qeverinë tranzitore

Grupi Nismëtar i Protestës Kombëtare ka njoftuar nisjen e procesit për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Protestës, një hap që organizatorët e konsiderojnë vendimtar në përpjekjen për krijimin e një përfaqësimi qytetar dhe avancimin e kërkesës për ngritjen e një qeverie tranzitore.

Vendimi u mor në ditën e 34-t të protestës, gjatë një mbledhjeje të Grupit Nismëtar, ku, sipas organizatorëve, u miratuan njëzëri platforma e funksionimit dhe kriteret e anëtarësimit në Kuvendin Kombëtar.

Në njoftimin e publikuar në rrjetet sociale nga përfaqësues të grupit, thuhet se përgatitja e platformës ka zgjatur 34 ditë, për shkak të vështirësive organizative dhe, sipas tyre, pengesave të hasura gjatë procesit.

Organizatorët bëjnë të ditur se identiteti i një pjese të personave që kanë kontribuar në hartimin e platformës nuk është bërë publik, me argumentin se synojnë t’i mbrojnë ata nga presionet dhe pasojat që, sipas tyre, mund të përballen për shkak të angazhimit në këtë nismë.

Sipas Grupit Nismëtar, krijimi i Kuvendit Kombëtar synon të ndërtojë një strukturë përfaqësuese të qytetarëve, e cila do të koordinojë veprimet e mëtejshme të protestës dhe do të promovojë kërkesën për krijimin e një qeverie tranzitore.

Në mbledhjen e zhvilluar këtë të premte morën pjesë figura të ndryshme të jetës publike dhe civile, mes tyre ambientalisti Sazan Guri, përfaqësuesi i Partisë Socialdemokrate në Elbasan, Erion Murataj, gazetari Ferdinand Dervishi, si dhe anëtarë të tjerë të Grupit Nismëtar.

Organizatorët kanë bërë të ditur se në ditët në vijim do të publikojnë detaje të mëtejshme mbi mënyrën e funksionimit të Kuvendit Kombëtar dhe hapat që do të ndiqen për zgjerimin e përfaqësimit qytetar në këtë strukturë.