Ka nisur zyrtarisht shpërndarja e bonusit të verës për pensionistët, ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi se të ardhurat shtesë që shteti ka përfituar nga rritja e çmimit të karburanteve, si pasojë e tensioneve dhe konfliktit në Lindjen e Mesme, do t’u rikthehen qytetarëve nëpërmjet mbështetjes financiare për pensionistët dhe kategoritë më në nevojë.
Gjatë një takimi me pensionistë, Rama theksoi se bonusi prej 5 mijë lekësh të rinj nuk lidhet me interesa elektorale, por është pjesë e politikës së qeverisë për të mbështetur të moshuarit dhe për të rishpërndarë të ardhurat shtesë të mbledhura në buxhet.
“Vitin e kaluar u tha se bonusi po jepej për fushatë. Këtë vit nuk ka fushatë dhe bonusi është sërish aty. Kjo tregon se nuk ka lidhje me zgjedhjet, por me angazhimin tonë për t’u qëndruar pranë pensionistëve. Të gjitha të ardhurat shtesë që erdhën nga rritja e çmimit të naftës për shkak të luftës nuk do të mbeten në buxhetin e shtetit, por do t’u kthehen pensionistëve përmes këtij bonusi”, deklaroi kryeministri.
Rama bëri të ditur se përfitues të mbështetjes nuk do të jenë vetëm pensionistët. Ai njoftoi se qeveria ka vendosur të dyfishojë ndihmën ekonomike për personat me aftësi të kufizuara, si dhe për fëmijët me aftësi të veçanta. Gjithashtu, shteti do të marrë përsipër pagesën e sigurimeve shoqërore për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara, një masë që, sipas tij, synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve.
Në të njëjtin aktivitet, ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, tha se procesi i shpërndarjes së bonusit ka nisur që më 1 korrik dhe se vetëm gjatë ditës së parë mbi 33 mijë pensionistë e kanë marrë tashmë pagesën shtesë së bashku me pensionin mujor.
Sipas Ibrahimajt, bonusi është pjesë e një pakete më të gjerë masash për rritjen e mirëqenies së pensionistëve dhe mbështetet nga performanca pozitive e ekonomisë shqiptare gjatë viteve të fundit.
Ministrja theksoi se ekonomia shqiptare ka regjistruar një rritje mesatare prej rreth 4 për qind, ndërsa të ardhurat buxhetore janë rritur me afro 50 për qind. Po ashtu, sipas saj, qarkullimi i bizneseve është zgjeruar me rreth 8 miliardë euro dhe pagat në vend janë rritur me mbi 50 për qind.
Ibrahimaj kujtoi se qeveria ka ndjekur një politikë të vazhdueshme të indeksimit të pensioneve, ndërsa ka vendosur edhe një mbështetje mujore për pensionistët që kanë vite të plota pune, por përfitojnë pension nën nivelin e synuar prej 400 eurosh.
“Objektivi ynë është që pensioni mesatar për ata që kanë vite të plota pune të arrijë në 400 euro. Për këtë arsye, pensionistët që përfitojnë më pak se ky nivel marrin çdo muaj një shtesë prej 18 mijë lekësh të vjetër. Përveç kësaj, çdo e ardhur shtesë që krijohet në buxhet synojmë ta rikthejmë te pensionistët”, u shpreh ministrja.
Ajo shtoi se përshkallëzimi i krizës në Lindjen e Mesme solli rritje të çmimit të karburanteve edhe në Shqipëri, duke krijuar të ardhura shtesë nga taksat, të cilat, sipas qeverisë, po përdoren për financimin e bonusit të verës.
Shpërndarja e bonusit prej 5 mijë lekësh të rinj ka nisur në të gjithë vendin dhe do të vijojë sipas kalendarit të pagesave të pensioneve, ndërsa qeveria e konsideron këtë masë si pjesë të politikës së saj për mbështetjen e shtresave më vulnerabël dhe rishpërndarjen e të ardhurave në favor të qytetarëve.









