Bombardohet Kievi/ Rusia godet me raketa dhe dronë gjatë natës – Mes 10 mes 10 viktimave edhe fëmijë

Kryeqyteti i Ukrainës është goditur nga një valë e fuqishme sulmesh ajrore ruse gjatë orëve të para të mëngjesit, ku raketa dhe dronë kanë shënjestruar disa zona të banuara të Kievit, duke shkaktuar të paktën 10 viktima dhe dhjetëra të plagosur.

Sipas autoriteteve ukrainase, sulmet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa lagje të qytetit, ndërsa ekipet e emergjencës kanë punuar gjatë gjithë natës për të nxjerrë persona nga ndërtesat e dëmtuara dhe për të shuar zjarret e shkaktuara nga shpërthimet.

Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, bëri të ditur se mes viktimave ndodhen edhe fëmijë, duke akuzuar Rusinë se po godet qëllimisht zona civile.

“Armiku po sulmon me vetëdije zonat e banuara dhe po vret civilë,” deklaroi ai.

Me zbardhjen e ditës u bënë të dukshme përmasat e shkatërrimit. Në disa pjesë të kryeqytetit janë krijuar kratere të mëdha nga shpërthimet, ndërsa shumë ndërtesa banimi kanë pësuar dëmtime të rënda. Flakët përfshinë objekte të shumta, ndërsa një stacion ambulancash u godit, duke lënë të paktën një person të plagosur rëndë.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, konfirmoi se deri tani janë regjistruar të paktën 10 viktima, por paralajmëroi se bilanci mund të rëndohet, pasi ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet nën rrënoja.

Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se objektivat e sulmeve ishin infrastruktura energjetike dhe objekte të lidhura me kapacitetet ushtarake të Ukrainës, duke i cilësuar bombardimet si përgjigje ndaj sulmeve të fundit ukrainase në territorin rus.

Ky konsiderohet sulmi më i rëndë ajror rus ndaj Kievit në më shumë se dy javë dhe vjen në një periudhë kur luftimet mes dy vendeve vijojnë me intensitet të lartë në disa fronte.