Klopp pret sinjalin nga Federata Gjermane – gati të marrë drejtimin e “Panzerave”

Jurgen Klopp mund të rikthehet shumë shpejt në pankinë. Pas eliminimit zhgënjyes të Gjermanisë nga Kupa e Botës, e ardhmja e Julian Nagelsmann është vënë seriozisht në pikëpyetje, ndërsa emri i ish-trajnerit të Liverpoolit ka dalë menjëherë në plan të parë.

Sipas Fabrizio Romanos, Klopp është i gatshëm të marrë drejtimin e “Pancerave”, por gjithçka varet nga Federata Gjermane e Futbollit (DFB), e cila ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi të ardhmen e Nagelsmann.

“Jurgen Klopp do të ishte i hapur për t’u rikthyer në profesionin e trajnerit nëse Federata Gjermane vendos ta kontaktojë. Nagelsmann dëshiron të vazhdojë, por vendimi final i takon DFB-së. Klopp është i gatshëm të dëgjojë ofertën dhe e sheh me interes projektin”, shkroi Romano.

Klopp është lidhur prej kohësh me pankinën e kombëtares gjermane, por deri tani nuk ka pasur një mundësi konkrete për ta marrë drejtimin e saj. Strategu 59-vjeçar u largua nga Liverpooli në verën e vitit 2024, duke pranuar se kishte nevojë për një periudhë pushimi pas shumë vitesh në nivelin më të lartë.

Pas largimit nga pankina, ai mori rolin e drejtuesit global të futbollit në grupin Red Bull, ndërsa gjatë Kupës së Botës ka qenë i angazhuar edhe si analist për MagentaTV.

Tashmë, me të ardhmen e Nagelsmann në dyshim, mbetet për t’u parë nëse DFB do të vendosë t’i besojë projektin njërit prej trajnerëve më të suksesshëm gjermanë të viteve të fundit.