Protestuesit marshojnë para selisë së PD-së: “Rama në burg, Berisha në burg”

Protesta e 31-të kombëtare ka vijuar edhe pas tubimit para Kryeministrisë, me protestuesit që marshuan në disa akse kryesore të Tiranës, duke ndaluar edhe pranë selisë së Partisë Demokratike.

Gjatë marshimit, pjesëmarrësit hodhën akuza si ndaj mazhorancës, ashtu edhe ndaj opozitës, duke brohoritur slogane si: “Opozitë e shitur”, “PD, PS, klysha komunistësh”, si dhe “Rama në burg, Berisha në burg”. Me këto thirrje, protestuesit shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj të dy kampeve kryesore politike në vend.

Marshimi erdhi pas fjalimeve të mbajtura më herët përpara Kryeministrisë, ku aktivistët kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe përsëritën se protestat do të vijojnë deri në realizimin e kësaj kërkese.

Organizatorët njoftuan gjithashtu se të mërkurën, në orën 10:00, do të zhvillohet një tjetër tubim përpara Prokurorisë së Posaçme, ku pritet të dorëzohet edhe dosja e quajtur “Albanian Files”, e firmosur nga protestuesit gjatë protestës së kësaj mbrëmjeje.