Aktivisti Edison Lika njoftoi gjatë protestës së zhvilluar këtë mbrëmje se nesër do të depozitohet në Prokurorinë e Posaçme kallëzimi që lidhet me dosjen e quajtur “Albanian Files”.
Në fjalën e tij para protestuesve, Lika u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin nismën duke firmosur dokumentin, të cilin e cilësoi si një hap të rëndësishëm në denoncimin e çështjes.
Sipas aktivistit, dosja përmban prova që, sipas tij, implikojnë kryeministrin Edi Rama dhe do të shërbejë si bazë për hetimet e Prokurorisë së Posaçme. Ai deklaroi se pret që SPAK të veprojë mbi kallëzimin që do të dorëzohet.
“Nesër, në orën 10:00, do të jemi në SPAK për të dorëzuar ‘Albanian Files’. Ju ftoj ta firmosni këtë kallëzim, sepse ai mban firmën e secilit prej jush,” u shpreh Lika gjatë protestës.









