LeBron James trondit botën e basketbollit/ Legjenda ndahet me Lakers – Golden State gati për superdyshen historike me Curry

Një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë e basketbollit amerikan po shkon drejt fundit. Pas tetë sezonesh me Los Angeles Lakers, LeBron James ka vendosur të largohet nga skuadra kaliforniane, duke mbyllur një epokë që kulmoi me fitimin e titullit kampion të NBA-së në vitin 2020.

Lajmi është konfirmuar nga drejtori ekzekutiv i agjencisë “Klutch Sports”, Rich Paul, në një prononcim për rrjetin amerikan ESPN. Sipas tij, LeBron u ka komunikuar drejtuesve të Lakers se duhet të planifikojnë të ardhmen pa të, pasi dëshiron ta vazhdojë karrierën në një skuadër tjetër.

Edhe pse në muajin dhjetor do të mbushë 42 vjeç, legjenda amerikane nuk ka ndërmend të tërhiqet nga basketbolli. Përkundrazi, ai synon të zhvillojë sezonin e 24-t në NBA, një rekord absolut në historinë e kampionatit më të fortë të basketbollit në botë.

Me largimin nga Lakers, LeBron James do të jetë zyrtarisht lojtar i lirë dhe i gatshëm të negociojë me çdo klub të interesuar. Menjëherë kanë nisur spekulimet për destinacionin e tij të ardhshëm, ndërsa emri që përmendet më shumë është ai i Golden State Warriors.

Nëse transferimi realizohet, tifozët e NBA-së mund të shohin një nga dyshet më spektakolare të të gjitha kohërave, me LeBron James dhe Stephen Curry në të njëjtën skuadër. Dy ikonat e basketbollit, që për vite me radhë kanë qenë rivalë në finalet e NBA-së, mund të bashkojnë forcat për të synuar një tjetër titull kampion.

Një lëvizje e tillë do të ndryshonte ekuilibrat e kampionatit dhe do të ishte një nga transferimet më të bujshme në historinë moderne të NBA-së, ndërsa e ardhmja e LeBron James pritet të jetë në qendër të vëmendjes gjatë gjithë merkatos së verës.