Pamje dramatike në Athinë/ E moshuara hidhet nga ballkoni për t’i shpëtuar flakëve, qytetarët i shpëtojnë jetën

Momente të frikshme janë regjistruar mesditën e së dielës në Athinë, ku një zjarr i fuqishëm përfshiu një banesë dykatëshe në kryqëzimin e rrugëve Aristidou dhe Agion Panton, duke vënë në rrezik jetën e një çifti të moshuar.

Sipas mediave greke, flakët shpërthyen fillimisht në katin përdhes të ndërtesës, në një kohë kur në banesë ndodheshin një burrë 80-vjeçar dhe bashkëshortja e tij 75-vjeçare, të cilët po pushonin.

I moshuari arriti të shpëtonte në kohë, duke dalë nga banesa përmes derës së pasme dhe garazhit. Ndërkohë, gruaja mbeti e bllokuar në katin e sipërm, ndërsa zjarri u përhap me shpejtësi në të gjithë ndërtesën.

Fillimisht, 75-vjeçarja kërkoi ndihmë nga ballkoni, duke bërtitur vazhdimisht “Ndihmë, ndihmë!”, ndërsa poshtë banesës u mblodhën dhjetëra qytetarë që përpiqeshin të gjenin një mënyrë për ta shpëtuar.

Situata u bë edhe më dramatike kur flakët thyen xhamat e banesës dhe tymi i dendur përfshiu katin e sipërm, duke i bllokuar çdo mundësi arratisjeje. Përballë rrezikut të madh, e moshuara u detyrua të hidhej nga ballkoni për t’i shpëtuar zjarrit.

Në ato çaste vendimtare, një shpërndarës që ndodhej pranë vendngjarjes nxitoi të ndihmonte së bashku me qytetarët e tjerë, duke kontribuar në shpëtimin e saj deri në mbërritjen e forcave zjarrfikëse dhe ekipeve të emergjencës.

Pamjet e ngjarjes, të publikuara nga mediat greke, tregojnë momentet dramatike të shpëtimit dhe kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale, duke shkaktuar reagime të shumta. Gjendja shëndetësore e çiftit të moshuar nuk është bërë ende e ditur, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit.