Skandal në Botëror/ Dyshime për kurdisje të ndeshjes Algjeri–Austri, Pamjet ndezin furtunë dhe eliminojnë Iranin

Një tjetër skandal i mundshëm ka shpërthyer në Kupën e Botës, pasi në rrjetet sociale po qarkullojnë pamje që kanë ngritur dyshime serioze për një marrëveshje të fshehtë mes Algjerisë dhe Austrisë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve.

Sipas raportimeve të mediave iraniane dhe disa mediave arabe, të cilat i janë referuar edhe videove të publikuara nga stadiumi, dy ekipet dyshohet se kishin interes të mbyllnin sfidën në barazim, rezultat që do të siguronte kualifikimin e tyre dhe njëkohësisht do të eliminonte Iranin nga Botërori.

Megjithatë, situata mori një kthesë të papritur në minutat shtesë. Në minutën e 93-të, kapiteni i Algjerisë, Riyad Mahrez, realizoi golin që çoi rezultatin në 3-2 në favor të ekipit të tij, duke prishur, sipas pretendimeve që po qarkullojnë, planin e dakordësuar mes skuadrave.

Menjëherë pas golit, pranë vijës anësore u krijua një situatë kaotike. Futbollistët austriakë vrapuan drejt stolit të Algjerisë, duke protestuar me gjeste të forta dhe duke shfaqur nervozizëm të madh. Pamjet, të cilat kanë grumbulluar miliona shikime në internet, tregojnë lojtarë dhe anëtarë të stafit teknik të të dyja skuadrave të përfshirë në diskutime të tensionuara.

Sipas mediave iraniane, mesfushori algjerian Houssem Aouar u bënte shenjë futbollistëve austriakë të ruanin qetësinë, duke u thënë se kishte ende kohë për të rikthyer baraspeshën. Në të njëjtën kohë, videot pretendojnë se një futbollist austriak i afrohet lojtarit algjerian për t’i dhënë udhëzime mbi pozicionimin në mbrojtje, çka ka shtuar edhe më shumë dyshimet për një marrëveshje të mundshme.

Për të qetësuar situatën u desh ndërhyrja e gjyqtarit të katërt dhe anëtarëve të stafeve teknike, të cilët ndanë lojtarët dhe shmangën përshkallëzimin e konfliktit.

Vetëm pak çaste më vonë, pas rinisjes së lojës nga qendra e fushës, Austria arriti të shënojë golin e barazimit për rezultatin përfundimtar 3-3, rezultat që i siguroi kualifikimin të dy skuadrave dhe la jashtë Iranin.

Ngjarja ka sjellë menjëherë në kujtesë një nga episodet më të errëta të historisë së Kupës së Botës, ndeshjen e vitit 1982 mes Gjermanisë Perëndimore dhe Austrisë, e njohur si “Turpi i Gijonit”, kur fitorja 1-0 e gjermanëve eliminoi pikërisht Algjerinë dhe u konsiderua një rezultat i dakordësuar.

Më shumë se katër dekada më vonë, rolet duket se janë përmbysur dhe këtë herë skuadra që pretendohet se është dëmtuar është Irani.

Deri tani, FIFA nuk ka reaguar zyrtarisht mbi videot dhe pretendimet që po qarkullojnë. Megjithatë, presioni ndaj organizmit më të lartë të futbollit botëror po rritet, ndërsa opinioni publik dhe federata iraniane kërkojnë sqarime dhe një hetim të plotë për atë që ndodhi në fundin dramatik të kësaj sfide.