E rëndë në Gopesh/ Banori rrëzohet nga shkëmbi teksa mblidhte çaj – Nisin kërkimet në mal

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të diele në malin e Gopeshit, në njësinë administrative Moglicë, në bashkinë e Maliqit, ku një person dyshohet se është rrëzuar nga një shkëmb.

Sipas të dhënave paraprake, bëhet fjalë për një banor nga Gramshi, i cili kishte shkuar në zonën malore për të mbledhur çaj mali. Gjatë lëvizjes në terrenin e vështirë, ai dyshohet se ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga një shkëmb.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, drejt vendngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë, grupi hetimor dhe forcat zjarrfikëse, të cilat po zhvillojnë operacionin e kërkim-shpëtimit për lokalizimin e banorit dhe nxjerrjen e tij.

Ndërkohë, autoritetet po punojnë edhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa ende nuk ka informacion zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të personit.