Pas përfundimit të fazës së grupeve, është përfunduar skema e fazës me eliminim direkt në Botërorin 2026, duke zbuluar jo vetëm çiftet e 1/16-ve, por edhe rrugëtimin e mundshëm të çdo kombëtareje deri në finalen e madhe.
Në letër, Argjentina duket skuadra që ka përfituar më shumë nga shorti. Kampionët e botës do ta nisin fazën eliminatore përballë Kepit të Gjelbër, ndërsa nëse kalojnë më tej, në 1/8-at do të përballen me fituesin e çiftit Australi-Egjipt. Një kalendar që, të paktën në teori, i favorizon deri në fazën çerekfinale.
Ndërkohë, në anën tjetër të tabelës nuk mungojnë sfidat spektakolare që në raundin e parë eliminator. Holanda do të përballet me Marokun në një duel që premton shumë, ndërsa Portugalia dhe Kroacia do të matin forcat në një tjetër përballje mes pretendentesh.
Nëse favoritët konfirmojnë pritshmëritë, faza e 1/8-ve mund të dhurojë disa supersfida. Gjermania mund të gjejë përballë Francën, ndërsa Portugalia rrezikon një duel të zjarrtë me Spanjën, në një nga ndeshjet më të forta të turneut deri në atë moment.
Edhe Brazili, Anglia, Belgjika dhe Spanja do të synojnë të shmangin surprizat për të vijuar rrugëtimin drejt fazave vendimtare, ndërsa çdo gabim nga kjo pikë e tutje do të jetë fatal.

Çiftet e fazës së 1/16-ve
- Afrikë e Jugut – Kanada
- Brazil – Japoni
- Gjermani – Paraguaj
- Holandë – Marok
- Bregu i Fildishtë – Norvegji
- Francë – Suedi
- Meksikë – Ekuador
- Angli – Republika Demokratike e Kongos
- Belgjikë – Senegal
- SHBA – Bosnjë dhe Hercegovinë
- Spanjë – Austri
- Portugali – Kroaci
- Zvicër – Algjeri
- Australi – Egjipt
- Argjentinë – Kepi i Gjelbër
- Kolumbi – Ganë
Me tabelën tashmë të përcaktuar, ekipet njohin edhe rrugën e tyre të mundshme drejt finales së 19 korrikut, ku vetëm dy kombëtare do të mbeten në garë për trofeun më të rëndësishëm të futbollit botëror.









