Shqetësim i madh në kampin e Spanjës. Nico Williams ka pësuar një tjetër dëmtim gjatë ndeshjes ndaj Uruguajit, duke vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e tij në Botërorin 2026.
Sulmuesi 23-vjeçar reagoi me një mesazh prekës në rrjetet sociale, ku rrëfeu periudhën e vështirë që ka kaluar gjatë muajve të fundit dhe zhgënjimin për dëmtimin e radhës, pikërisht në momentin kur kishte lënë pas problemet fizike që e kishin munduar për një kohë të gjatë.
“Sot është një nga ditët më të vështira të jetës sime. Pësoj sërish një dëmtim pas një viti shumë të vështirë. Pubalgjia më fitoi shumë beteja, por jo luftën. E mposhta me punë, sakrificë dhe përgjegjësi”, shkroi Williams.
Anësori spanjoll tregoi se për më shumë se një vit e gjysmë jetoi mes dhimbjeve, pasigurisë dhe ankthit, deri në atë pikë sa edhe veprimet më të zakonshme të përditshmërisë ishin bërë të vështira.
“Nuk e dija se kur do të luaja përsëri pa dhimbje, apo kur do të kisha një jetë normale. Të rikthehesha i lumtur në fushë dhe të buzëqeshja sërish ishte objektivi im më i madh”, vijon ai.
Megjithatë, fati nuk ishte në anën e tij. Pas rikthimit nga dëmtimi i mëparshëm, Williams pësoi një tjetër problem muskulor dhe së fundmi u dëmtua sërish pas një ndërhyrjeje që, sipas tij, ishte e panevojshme.
“Dje pësova një dëmtim të ri pas një ndërhyrjeje të një kundërshtari që veproi i shtyrë nga frustrimi. Besoj se ajo ndërhyrje mund të ishte shmangur, sepse ishte krejtësisht e panevojshme”, u shpreh futbollisti.
Pavarësisht goditjes së radhës, lojtari i Spanjës nuk e humb besimin se do të rikthehet.
“As kjo nuk do të më ndalë. E di se Zoti ka një plan për mua dhe do të vazhdoj të luftoj deri në fund për t’u rikthyer, për të luajtur futboll, për të qenë i lumtur dhe për t’u dhuruar gëzim njerëzve. Historia nuk ka përfunduar. Do të shihemi sërish shumë shpejt në këtë Botëror”, përfundoi Williams.
Stafi mjekësor i Spanjës pritet të përcaktojë në ditët në vijim shkallën e dëmtimit dhe kohën e rikuperimit, ndërsa kombëtarja iberike shpreson të mos humbasë një nga lojtarët e saj më të rëndësishëm në fazën vendimtare të turneut.









